Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë gjobitur institucionet përgjegjëse për gjendjen me mbeturina në Prishtinë.Sipas Pacollit, inspektorati i ministrisë ka inspektuar situatën në kryeqytet dhe ka konstatuar një gjendje të rëndë, e cila, sipas saj, po rrezikon drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.Ajo ka kritikuar menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, duke thënë se kjo është një nga përgjegjësitë themelore të qeverisjes lokale.“Menaxhimi i mbeturinave është detyrimi më bazik që një qeverisje lokale duhet ta zgjidhë. Hedhja e fajit ping-pong mes Komunës dhe ndërmarrjes publike është thjesht një tentativë për të fshehur paaftësinë”, ka shkruar Pacolli.Ministrja ka kritikuar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe zinxhirin menaxhues të komunës, duke kërkuar përgjegjësi për gjendjen e krijuar.“Neglizhenca nuk mund të normalizohet. Kushdo që nuk i kryen detyrat dhe i lë qytetarët të përballen me këtë rrezik, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, pa pasur mundësi t’i shmanget asaj duke e pasuar fajin te tjetri”, ka deklaruar ajo.Pacolli ka theksuar se institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për situatën dhe se ligji do të zbatohet ndaj të gjithë atyre që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave të tyre.
TelegrafiIzvori: 3
Izvorni izdavačKomentari: 0