Emocione, gol, raste dhe festë – FFK sjell prapaskenat e fitores së Kosovës ndaj Irlandës
Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar një video speciale nga fitorja 1-0 ndaj Irlandës, duke sjellë disa prej momenteve më emocionuese para, gjatë dhe pas ndeshjes së parë të “Dardanëve” në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.Videoja nis me momentin e mbërritjes së Kombëtares së Kosovës në stadium, pak para sfidës ndaj irlandezëve, ndërsa më pas kamera zhvendoset në zhveshtore, ku atmosferës i bashkohet edhe një moment i veçantë me Erblin Osmanin.Talenti 17-vjeçar, i cili ishte ftuar për herë të parë në Kombëtaren A, mbajti një fjalim të shkurtër para bashkëlojtarëve, duke e shprehur mirënjohjen për ftesën e Kosovës dhe duke i uruar ekipit sukses në ndeshje.Më pas, videoja sjell emocionet e lojtarëve gjatë sfidës, me momentin kulmor që vjen në minutat e fundit, kur Vedat Muriqi realizoi golin e fitores për Kosovën.Goli solli shpërthim emocionesh te futbollistët, ndërsa festa vazhdoi edhe pas vërshëllimës së fundit.Në fund të videos shfaqet atmosfera në zhveshtore, ku “Dardanët” festojnë së bashku fitoren e rëndësishme dhe tri pikët e para në Ligën e Kombeve./Telegrafi/

