Një Ferrari F50 që ka përshkuar vetëm 170 kilometra, pritet të shitet për më shumë se 20 milionë dollarë
Një Ferrari F50 e vitit 1997, e cila ka përshkuar vetëm 170 kilometra, pritet të shitet për më shumë se 20 milionë dollarë (rreth 17,2 milionë euro) në një ankand më 31 tetor. Nëse arrihet kjo shumë, ajo do të vendosë rekord të ri për modelin F50, vlera e të cilit është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Ferrari prodhoi vetëm 349 ekzemplarë të këtij modeli nga viti 1995 deri më 1997, ndërsa makina në fjalë mban numrin 334 të prodhimit. E dorëzuar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, ajo ka qëndruar pothuajse 30 vjet e parkuar, duke ruajtur gjendjen e saj thuajse të re. Nën kapakun e saj gjendet një motor V12, me vëllim 4.7 litra, i zhvilluar duke marrë frymëzim nga teknologjia e Formula 1. Makina ruan ngjyrën origjinale të kuqe Rosso Corsa, enterierin e zi me detaje të kuqe, si dhe aksesorët origjinalë. Ironikisht, fakti që pronari i parë pothuajse nuk e ka vozitur fare mund ta kthejë këtë Ferrari në një nga makinat më të shtrenjta për koleksionistët, duke dëshmuar se ndonjëherë, për të fituar miliona, një makinë duhet të qëndrojë në garazh dhe jo në rrugë. /Telegrafi/


