25 vjet më parë: kur Zvicra e humbi kompaninë ajrore Swissair
Një rrëfim mbi historinë e kompanisë më të rëndësishme ajrore të Zvicrës, falimentimin e saj spektakolar dhe disa të dhëna mbi fluturimin e parë të Swissair nga Zürichu në Tiranë – më 4 gusht 1986!Një hajgare zvicerane tingëllon kështu: «Ende ekziston Swissair, vetëm se i ka dalë ajri». Kjo shaka i referohet kompanisë së famshme ajrore Swissair, e cila falimentoi 25 vjet më parë, më 2 tetor 2001. Tash ekziston vetëm Swiss (pa «air»), por Swiss nuk është më kompani zvicerane; ajo i përket Lufthansës gjermane. Për krenarinë dhe patriotizmin zviceran kjo ishte një goditje e rëndë.Në orën 16:15 të 2 tetorit 2001 u dëgjua nga altoparlantët e aeroportit të Zürichut njoftimi që do të hynte në librat e historisë: «Zonja dhe zotërinj, të nderuar pasagjerë. Për arsye financiare, Swissair nuk është më në gjendje të kryejë fluturimet e saj».Ky ishte falimentimi më i madh dhe më spektakolar në historinë e ekonomisë zvicerane pas Luftës së Dytë Botërore. Katastrofa erdhi stuhishëm. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, ra dukshëm interesimi për të fluturuar. Borxhet e kompanisë u rritën, ndërsa paralelisht dështuan planet e Swissair për t’u zgjeruar. Më 1 tetor 2001, ndërmarrja amë SAirGroup kërkoi mbrojtje nga falimentimi. Por të nesërmen bankat refuzuan të transferonin fondet e nevojshme për funksionimin e kompanisë. Brenda pak orësh Swissair-it i mbaroi likuiditeti. Dhe kështu erdhi 2 tetori. Rreth 19’000 pasagjerë mbetën të bllokuar në Zürich dhe nëpër botë.Që atëherë fjala «grounding» ka hyrë në fjalorin e nocioneve ekonomike të Zvicrës. Falimentimi i Swissair ishte një debakël i shkaktuar nga menaxherët e kompanisë, elitat bankare dhe politike. Një rrjet i lidhur nëpërmjet interesave të ngushta dhe përfitimeve të llojllojshme, ku hynin edhe fluturimet falas. Në Zvicër këtij lloj sistemi i thonë «Filz», një stof i lidhur me fije. Kjo është një fjalë përkëdhelëse për keqmenaxhim dhe përfitime shpesh të paligjshme. Në shqip i thonë thjesht: korrupsion dhe nepotizëm.M
